Risitë pozitive të Kodit të Punës, që hyn në fuqi në 22 qershor

Ndryshimet e bëra në fund të vitit 2015 mbi Kodin e Punës pritet të hyjnë në fuqi në qershor. Kjo periudhë tranzitore prej 6 muajsh u la në dispozicion të punëdhënësve, me qëllim që ata të përgatisnin kontratat e reja të punës. Ekspertët janë të mendimit se këto ndryshime shkojnë në favor të punëmarrësit, duke iu sanksionuar më shumë të drejta në atë që është dokumenti më i rëndësishëm.

Kontratat e punës që nuk zbatoheshin, të drejta të mohuara, pushime që justifikoheshin vetëm me një fjalë dhe pa asnjë rresht të shkruar, etj. Këto kanë qenë vetëm disa nga problemet që haseshin në marrëdhëniet e punës dhe që e bënë domosdoshmëri ndërhyrjen në ligjin më të lartë që rregullon marrëdhëniet kontrakuale, Kodin e Punës. Përgatitjet për ndryshimet në këtë ligj të rëndësishëm zgjatën për më shumë se një vit dhe zunë rreth 40% të tij. Pasi u miratuan nga Kuvendi në fund të vitit të kaluar, ligjvënësit lanë në dispozicion 6 muaj, si periudhë tranzitore, të nevojshme që punëdhënësit të njiheshin me normat e reja në hartimin e kontratave. Kështu parashikohet që më datë 22 qershor do të hyjnë në fuqi ndryshimet, që llogariten të jenë rreth njëmbëdhjetë. Ndërsa vendimet e Këshillit të Ministrave do të mund të bëhen gati vetëm pas gjashtë muajsh. Erion Manohasa, drejtor për Marrëdhëniet e Punës në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Sabina Lalaj, drejtuese e Departamentit Ligjor Deloitte Albania dhe Kosova, sqarojnë për “Monitor” këto ndryshime, duke argumentuar efektet që do të kenë në marrëdhëniet mes punëdhënësve dhe punëmarrësve. Kështu 11 risitë kryesore që sjell Kodi i Punës parashikojnë zhvillime pozitive sa i takon trajtimit të lejes vjetore dhe lejeve të lindjes. Në Kod sanksionohet se çdo punëmarrës gëzon të drejtën për të marrë lejen vjetore dhe kjo leje nuk mund të zëvendësohet më me kompensim financiar. Ndërkohë që, për çdo gjashtë orë pune, punëdhënësit do të kenë detyrimin të garantojnë një periudhë pushimi për punëmarrësit. Lidhur me lejen e lindjes, në Kod është propozuar ndryshimi që i jep të drejtën të dy prindërve të gëzimit të lejes së përkujdesit për fëmijën e sapolindur. Prindërit, tani mund të marrin dyfishin e raportit mjekësor pushim, për fëmijët deri në moshën 6- vjeçare kanë të drejtë të marrin leje të papaguar jo më pak se katër muaj.

Gjithashtu, Kodi sjell detyrimin ligjor që ndryshimi i kontratës së punës mund të bëhet vetëm me shkrim. Një zhvillim, i cili rrit mbrojtjen në punë dhe në proceset gjyqësore për punëmarrësit. Po ashtu, është parashikuar që pas rikthimit në punë, 63 ditë pas lindjes së fëmijës, prindërit kanë të drejtë të marrin dy orë leje në ditë të paguar. Pra, mund të punojnë gjashtë orë dhe të paguhen për tetë orë.

Një risi tjetër janë agjencitë e punësimit të përkohshëm, të cilat sigurojnë mbrojtje ligjore, për të gjithë personat që deri më sot kanë punuar të pambrojtur, si hidraulikët, elektricistët, pastrueset, babysitter-at, punëtorët e ndërtimit me ditë etj.

Për herë të parë, me këto ndryshime parashikohet rregullimi i punës në distancë, ose të kryer nëpërmjet kompjuterit, duke i krijuar mundësi të reja, por edhe mbrojtje, veçanërisht të rinjve.

Një tjetër risi është ajo që prek nxënësit e arsimit profesional. Për këtë kategori nxënësish, që në përputhje me sistemin dual gjerman do të kryejnë praktikën mësimore pranë një subjekti, këtej e tutje do të paguhen.

Me ndryshimet e miratuara në Kodin e Punës vijnë dhe disa përcaktime të tjera moderne, që synojnë ndalimin e diskriminimit në punësimin dhe formimin profesional. Kështu, parashikohet lënia e barrës së provës punëdhënësit për marrjen e masave, me qëllim respektimin e parimit të mosdiskriminimit. Ndër të tjera, parashikohet edhe përcaktimi i saktë dhe i plotë i rasteve të “shqetësimit seksual” në mjedisin e punës.

Erion Manohasa, drejtor për Marrëdhëniet e Punës në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ka thënë gjatë intervistës për monitor.al që në ndryshimet e Kodit të Punës janë parashikuar përmirësime si për bashkëjetuesit, për detyrimin për lejet që kanë të bëjnë me lindjen e fëmijëve e po kështu edhe me kufizimin e orëve maksimale shtesë. Orët e rregullta të punës janë 40 orë në javë. Punëmarrësi mund të bëjë maksimalisht 8 orë shtesë në javë, por me kufi që në një vit të mos i kalojë 200 orë. Deri më sot, kjo shifër ishte rreth 480 orë në vit. Kjo ishte një direktivë e Bashkimit Europian, por nga ana tjetër ka të bëjë edhe me produktivitetin në punë.

Ndryshime ka edhe sa u përket festave zyrtare, lejes së lindjes, etj.

Nga monitor.al, ku gjeni edhe intervistat e specialistëve

Lajme

Leave a Reply